Epoka e prestigjit mongol | Historia e Civilizimit Islam 4
me Gerdi Demneri
Përmbledhje
📚 Pjesa 4 nga 6, e serisë mbi historinë dhe qytetërimin islam.
Në sesionin e katërt të serisë "Ecuria Historike e Islamit" në Prishtina Talks, Gerdi Demneri vazhdon leximin e Marshall Hodgson-it duke mbuluar epokën midis rënies së kalifatit të formës së lartë dhe fillimit të tre perandorive të epokës së barutit.
Ligjërata ndjek një hark të gjerë: nga zhvillimet kulturore te Muahidunët në Andaluzi (Ibn Tufejli dhe Hajj bin Jakdhan) dhe letërsia sufiste persiane (Ferdiuddin Attar, Sadi dhe përkthimi i Gylistanit nga Hafiz Ali Korça), te rënia e Bagdadit nën Hulagunë (1258), fitorja e mamlukëve në Ajn Xhalut, konvertimi paradoksal i mongolëve në Islam, dhe ndërtimi i civilizimit timurid mbi plaçkitjen.
Boshti intelektual i epokës mamluke përfaqësohet nga tri figura që Demneri i trajton në thellësi: Ibn Tejmije dhe kritika e taklidit dhe e kompromisit të dijetarëve me pushtetin, Ibn Kethiri dhe leximi apokaliptik i shkatërrimit mongol, dhe Ibn Halduni me teorinë e asabijes dhe cikleve historike si "babai i sociologjisë". Ligjërata mbyllet me lulëzimin e arteve timuride dhe rolin e Behzadit në Herat.
Disa pika që trajtohen:
📌 Pse Hafiz Ali Korça shpenzoi kohë të përkthente një vepër letrare si Gylistani në 1935 📌 Ibn Tufejli dhe Hajj bin Jakdhan si paraardhësi i Robinson Kruzos 📌 Erocentrizmi i keqkuptuar: çfarë morën europianët nga muslimanët ishte kryesisht teknologji, jo kulturë 📌 Pse Hodgson e quan epokën mongole "e prestigjit", jo thjesht "e shkatërrimit" 📌 Ibn Tejmije: konflikti thelbësor s'ishte për akide apo bidat, po për kompromisin e dijetarëve me pushtetin 📌 Rikonceptimi rigoroz i maslahës kundër shfrytëzimit të saj si mjet legjitimimi politik 📌 Asabija e Ibn Haldunit dhe si pushteti mundëson civilizimin, jo e kundërta 📌 Timuri si paradoks: fanatik plaçkitës që ndërtoi një prej lulëzimeve më të mëdha kulturore
📍 Prishtina Talks
Mendimet dhe qëndrimet e shprehura nga mysafirët tanë janë të vetë folësve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Prishtina Talks.